Rajoni

Kosovë, përfundon numërimi i votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës përfundoi procesin e numërimit të votave, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, më 9 shkurt. Votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta ishin të fundit që u numëruan në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja pritet t’i shpallë dy ditë pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha për gazetarët se partitë apo kandidatët për deputetë kanë 48 orë kohë për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me ndonjë shkelje të pretenduar gjatë numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar edhe votat me kusht e të personave me nevoja të veçanta. Kjo forcë politike ka marrë 5.214 vota me kusht apo 44.25%, si dhe 824 apo 31.88% të atyre të personave me nevoja të veçanta.

Partia Demokratike e Kosovës fitoi 20.17%, apo 2.377 vota me kusht dhe 621 apo 24.02% të votave të personave me nevoja të veçanta. Lidhja Demokratike e Kosovës siguroi 13.64% ose 1.607 vota me kusht dhe 19.54% apo 505 vota të personave me aftësi të kufizuara.

Lista Serbe arriti të fitojë 6.33%, 746 vota me kusht dhe 7.85% apo 203 vota të personave me nevoja të veçanta. Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma mori 5.63% ose 4663 vota me kusht dhe 8.86% apo 229 të personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve përfundimtare që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra prej partive politike nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Për të pasur shumicën, nevojiten të paktën 61 deputetë në Kuvendin me 120 vende të Kosovës.

Si parti e parë, Vetëvendosje ka fituar 396 mijë e 22 vota, apo 42.27% duke siguruar 48 deputetë. Kryetari i saj, kryeministri Albin Kurti është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur. Partitë që aktualisht janë në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji. Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.