Rajoni

Kosovë, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit për vrasjen e policit Lika!

Prokuroria e Ferizajt sot i kërkoi gjykatës të urdhërojë një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit e arrestuar një ditë më parë në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. Të dyshuarit, të cilët u identifikuan nga prokuroria vetëm me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., vijnë nga Kaçaniku në jug të Kosovës.

Ata akuzohen për vrasje.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, teksa po kthehej në banesën e tij nga puna. Ai u ekzekutua pasi u qëllua pas shpine nga një i mitur, i cili veproi në bashkëpunim me pesë të dyshuarit e tjerë, rreth mesnatës së 1 prillit.

Krimi ndodhi pak pasi kishte hyrë në ndërtesën ku jetonte, deklaroi prokuroria.

Që të gjashtë të dyshuarit u arrestuan dje gjatë një operacioni të gjerë policor në Kaçanik dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshimet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.

Dyshimet e tona të deritanishme janë se vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Megjithatë, motivet do të qartësohen edhe pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe pas ekzaminimit të dëshmive të gjetura. Kjo mbetet të vërtetohet, tha Hoxha.

Hoxha dhe Çerkini thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte punuar në zgjidhjen e disa rasteve ku ata dyshoheshin për vepra penale.

Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste, u shpreh Hoxha.

Policia kreu kontrolle në nëntë lokacione në Kaçanik dhe në një fshat të Klinës një ditë më parë, duke sekuestruar dy autovetura, telefona celularë, disa laptopë, një armë zyrtare, maska, tyta armësh e fishekë.