Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) protestuan ditën e sotme në Prishtinë, duke kërkuar rritje të pagave. Kërkesën lidhur me rritjen e pagave, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica, e argumentoi me rritjen e inflacionit në muajt e fundit në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, në muajin mars inflacioni arriti në 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra 2022-shin.
Llumnica vuri në dukje se bordi i kësaj korporate nuk po i shqyrton kërkesat e punëtorëve e hodhi akuza.
Në një kompani ku menaxhmenti thotë se kemi 107 milion euro fitim… Por, çfarë është fitimi më i madh se të kesh fuqi punëtore, pse nuk po vlerësohet punëtori? A ka më turp që një kompani e fuqishme, me qindra miliona euro të hyra, që të kenë një shujtë të ushqimit prej 1.74 eurosh.
Edhe në datën 16 mars, mbi një muaj më parë, punëtorët e KEK-ut protestuan po me kërkesën për rritjen e pagave. Korporata Energjetike e Kosovës numëron 3 mijë e 200 punëtorë, të cilët marrin rrogë bazë mesatare prej 627 eurosh. Duhet thënë se deri tani, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, nuk ka dalë me një njoftim për kërkesat e punëtorëve.
Por, më 3 prill ky bord pati reaguar duke deklaruar se në vazhdimësi ka shqyrtuar kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve. Në një deklaratë për shtyp, sqarohej pjesa se “paga mesatare në KEK është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë”. Po ashtu, se “të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për vitet e punës, si dhe ato për dieta.
Korporata Energjetike e Kosovës, KEK është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Asetet e korporatës janë në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës. Protesta e sotme i paraprin manifestimeve të planifikuara për më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.