Rajoni

Kosovë, sot certifikimi i rezultateve përfundimtare zgjedhore!

Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të mbajë një mbledhje, ku në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të parlamentareve të 9 shkurtit. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës me këtë rend dite.

Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi dy ankesat e fundit të lidhura me procesin zgjedhor, duke i hapur rrugë KQZ-së për certifikimin e rezultateve. Ato përfundimtare u shpallën nga KQZ-ja, më 15 mars.

Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 42.30% të votave, e dyta Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.95, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18.27%. Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 e më pas Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, me 4.26%.

Supremja rrëzoi dje si “të pathemelta” ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të një kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës e të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDAK) – LPB, të cilat kundërshtonin vendimet e Panelit për Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).