Shkupi mund Tiranën si qyteti i mesëm me kostot më të lira për investitorët në Europë. Një raport i FDI Intelligence, analizon tendencat e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në Europë. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut renditet si qyteti më efektiv sa u përket kostove mes qyteteve të mesme në Europë. Ky klasifikim tregon për klimë biznesi të favorshme e kosto të ulëta operacionale për investitorët, duke e bërë tërheqës për projekte të reja.
Tirana gjendet në të njëjtën tabelë, por është në vend të 8-të. Në përgjithësi, Shkupi ka një mjedis më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë në krahasim me Tiranën. Kjo kryesisht për shkak të kostove më të ulëta dhe politikave më miqësore për biznesin.
Ja faktorët kryesorë që sipas dokumentit ndikojnë në cilësimin e një qyteti me kosto operimi të ulëta për bizneset:
– Kostoja e fuqisë punëtore – Paga mesatare në sektorë të ndryshëm dhe krahasimi me vende të tjera të Europës.
– Kostoja e pronave dhe qirave komerciale – Sa të përballueshme janë çmimet për hapësirat e biznesit, përfshirë zyra, magazina dhe qendra prodhimi.
– Taksat dhe lehtësitë fiskale – Përfshin normat tatimore për bizneset, përjashtimet tatimore për investimet e huaja dhe lehtësitë administrative.
– Kostoja e shërbimeve dhe infrastrukturës – Përfshin çmimin e energjisë, ujit, transportit dhe shërbimeve të tjera të nevojshme për operacionet e biznesit.
– Kostoja e transportit dhe logjistikës – Lidhja e qytetit me tregjet kryesore dhe shpenzimet për transport të mallrave.
– Produktiviteti dhe kualifikimi i fuqisë punëtore – Raporti mes kostos së punës dhe efikasitetit të saj në sektorë të ndryshëm.
– Kursi i këmbimit dhe stabiliteti ekonomik – Vendet me monedha të qëndrueshme dhe inflacion të ulët kanë avantazh më të madh për investimet afatgjata.
Leskovac, Serbi, është përfshirë gjithashtu ndër qytetet mikro me kosto efektive në Europë, duke reflektuar avantazhet e tij për investimet industriale dhe prodhimin me kosto të ulët.
Nga qytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kakanj, Bosnjë-Hercegovinë është renditur ndër qytetet mikro më të mira për strategjinë e investimeve të huaja. Kjo tregon angazhimin e qeverisë lokale për të tërhequr investime dhe për të krijuar një klimë biznesi të favorshme.
Novi Sad, Serbi, është vlerësuar si një nga qytetet më miqësore për biznesin në kategorinë e qyteteve të vogla në Europë. Ky qytet ka tërhequr një numër të madh investimesh të huaja, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe industrisë së shërbimeve.