Aktualitet

KQZ: 50 mijë shqiptarë kanë aplikuar për votim nga diaspora deri tani! Refuzimet po kapin 30 mijë raste!

Këtë të hënë, KQZ shënoi shifrën e 50 mijë shqiptarëve të diasporës që e kaluan me sukses regjistrimin dhe u pranuan si zgjedhës nga jashtë.

Megjithatë, edhe refuzimi është rritur, duke u afruar tek 30 mijë raste.

3 mijë të tjerë janë në pritje të përgjigjes nga KQZ-ja.

Shqiptarët e Italisë përbëjnë gjysmën e atyre që nuk ja kanë dalë me sukses. Si ata, edhe të tjerët që janë refuzuar, problemin e kanë pasur tek dokumenti që provon adresën e tyre.

Të regjistruar burra janë 62 %, ndërsa gratë 38 %.

Për ata që nuk ia kanë dalë, aplikimet janë të hapura deri në 4 mars, dhe të gjithë mund të aplikojnë përsëri dhe ta provojnë disa herë, pasi nuk ka një limit se sa herë mund ta përsërisësh kërkesën.

Ambasadori spanjoll Alvaro Renedo Zalba, nga Elbasani pohoi sot (27 Janar) se e sheh me rëndësi votën e Diasporës, pasi është e drejtë e çdo shtetasi shqiptarë të votojë, pavarësisht se ku ndodhet.

“Unë e shoh shumë të rëndësishme votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare. Qytetarët që jetojnë jashtë vendit, jashtë Shqipërisë, duhet t’u jepet mundësia të votojnë, siç janë edhe shqiptarët në Spanjë apo në vendet e tjera”, u shpreh diplomati.

Ky koment për votën e diasporës, u bë gjatë një takimi që ambasadori pati në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, ku u diskutua për programin e ‘Erasmus +’.

Dy kampet e mëdha politike, PD dhe PS e kanë përqendruar vëmendjen te takimet jashtë Shqipërisë, duke i bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë t’i besojnë platformës së tyre.