Aktualitet Zgjedhjet 2025

Krimet zgjedhore/ 2 prokurorë të SPAK dhe agjentë të BKH zbarkojnë në Fier, monitorim dhe në Roskovec!

Prokurori i posaçëm Sotir Kllapi i shoqëruar nga agjentë të BKH dhe nga oficerë të policisë së Fierit, kanë zhvilluar një vëzhgim në disa zona të qarkut.

Një nga këto zona është edhe Roskoveci. Krahas prokurorit Sotir Kllapi, e deleguar me detyra në qarkun e Fierit për krimet zgjedhore është dhe prokurorja tjetër e SPAK Doloreza Musabelliu.

Deri më tani nuk janë vërejtur shkelje nga ana e prokurorëve të Posaçëm ndërsa prezenca e tyre do të jetë deri në mbyllje të procesit të numërimit.

Ndërkohë prokuroria e juridiksionit të përgjithshem Fier ka regjistruar 5 procedime penale lidhur me krime zgjedhore.

KQZ ka pritur 19 delegacione nga Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të ndryshme të botës dhe organizatave që operojnë në fushën e zgjedhjeve për 11 majin.

Përfaqësues të KQZ-ve nga Armenia, Azerbajxhan, Bosnje Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Kroacia, Kosova, Lituania, Moldavia, Maqedonia Veriut, Mali i Zi, Finlanda, Suedia, Turqia dhe të Organizatës Botërore të Trupave Zgjedhore ndodhen në vendin tonë në kuadër të “Programi i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, i cili zhvillohet për herë të dytë nga KQZ.

Në një postim në rrjetet sociale, KQZ shprehet se përfaqësuesit u njohën me përgatitjet e procesit zgjedhor, mënyrën e funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, monitorimin e fushatës zgjedhore, etapat dhe ecurinë e procesit të votimit elektronik, identifikimin elektronik të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik.