Një ekspert mjekoligjor deklaroi në gjykatë se Liridona Ademaj u vra nga një distancë prej 2 deri në 5 centimetrash, në vitin 2023. Në sallën e gjyqit ishte Naim Uka, i cili dha dëshminë në gjyqin kundër Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës. Uka kreu autopsinë e Ademajt dhe sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë u shpreh:
Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit. Në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 centimetra.
Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Për vrasjen po gjykohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava e Kushtim Kokalla. Murseli dhe Kokalla janë deklaruar të pafajshëm, por Plava nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë.
Më tej, eksperti mjekoligjor Uka i tha gjykatës se plaga kishte formë trekëndore e shoqërohej me thyerje të shumëfishta.
Edhe në këtë rast, kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të së ndjerës, që bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje.
Procesi gjyqësor nisi në fillim të këtij viti ndërsa në seancën e kaluar dëshmoi vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, i cili tha se sjellja e Murselit menjëherë pas vrasjes, e tronditi familjen e tyre. Prokuroria akuzon Murselin se ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jete që kishte në Suedi, në shumën rreth 260 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, Murseli e planifikoi vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën e Granit Plavën, duke iu premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për të kryer krimin. Kokalla akuzohet se e kishte prezantuar Murselin me ekzekutorin Plava, i cili akuzohet si personi që qëlloi Liridonën.
Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim. Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit, që të prehej në varrezat e familjes Ademaj. Që nga 2010-ta, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, shumica nga bashkëshortët.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve, çka sipas tyre, nxisin autorët.