Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë gjykimit ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, sot dëshmoi vëllai i saj, Leonard Ademaj, i cili përshkroi momentin kur kuptoi vrasjen e motrës.
Ai deklaroi se ishte në punë kur bashkëshortja e telefonoi, duke i kërkuar që të shkonte në shtëpi, sepse Liridona ishte vrarë.
Fillimisht mora prindërit dhe shkuam në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, ku kërkova qetësues për ta. Më pas u nisëm për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku pamë shumë policë, të cilëve iu drejtova për informacione. Ata më udhëzuan të shkoja në stacionin policor në Dragodan, ku një police më kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës.
Ademaj tregoi edhe se kur pyeti për Naimin, iu tha se ai po jepte deklaratë në polici. Rreth një orë e gjysmë më vonë, Naimi kishte dalë nga stacioni.
Për ne, ajo natë nuk ishte e lehtë se i kishim edhe fëmijët [e Liridonës]. Kemi qëndruar zgjuar deri në mëngjes.
Më tej, u shpreh se pasi kishte kontaktuar shoferin me të cilin ishte Naimi, mësoi se ai ndodhej në hotelin “Swiss” në Prishtinë. Aty shkoi me disa të afërm dhe Naimin e gjetën të shtrirë në krevat, me ushqime në tryezë e me drekë të porositur.
Menduam se sjellja e tij pasqyronte tronditjen.
Rasti i Liridona Ademajt
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë. Murseli akuzohet se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumën rreth 260 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, Murseli e planifikoi vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën e Granit Plavën, duke iu premtuar një shpërblim 30 mijë eurosh për të kryer krimin. Kokalla akuzohet se e kishte prezantuar Murselin me ekzekutorin Plava. Murseli dhe Kokalla thanë se të pafajshëm, ndërsa Plava nuk pranoi të deklarohej lidhur me fajësinë.
Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim. Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit, për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj. Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, shumica nga bashkëshortët. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta ndaj autorëve, çka sipas tyre nxit ekzekutorët.