Rajoni

Kriza institucionale në Kosovë, presidentja Osmani pret përfaqësuesit politikë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takime të ndara me përfaqësues të partive politike, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale në vend. Edhe pse janë bërë plot 40 përpjekje, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt, ende nuk kanë arritur ta konstituojnë institucionin ligjvënës. Me një vendim të javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese urdhëroi konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, deri më 26 korrik.  Që nga ai vendim janë mbajtur edhe dy seanca në parlament, por pa rezultat.

Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie. Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar më  shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Por, për disa herë me radhë, Haxhiu nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë post.

Vetëvendosje vazhdimisht kërkon votim të fshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës së konstituimit, Avni Dehari, po nga Vetëvendosje, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Më 30 qershor, këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se kryetarja e shtetit pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të zbatojnë vendimin e Kushtetueses dhe të përfundojnë seancën e konstituimit brenda afatit prej 30 ditësh.

Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, deklaroi Kupina.

Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese vlerësojnë se vendimi i Kushtetueses duket se nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë, ndaj, sipas tyre, “zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes”.