Irani ka paralajmëruar se nuk do të lejojë më kalimin e pajisjeve ushtarake të cilësuara si “armike” përmes Ngushticës së Hormuzit, duke rritur më tej tensionet në një nga zonat më strategjike të transportit detar në botë.
Deklarata është bërë nga zëvendëspresidenti i parë iranian, Mohammad Reza Aref, i cili tha se Teherani ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me kalimin e mjeteve ushtarake në këtë ngushticë jetike për tregtinë globale të naftës.
“Ne kishim hequr dorë nga e drejta jonë e sovranitetit mbi Ngushticën e Hormuzit dhe më parë kishim lejuar kalimin e pajisjeve ushtarake që kishin për qëllim të përdoreshin kundër nesh. Ne nuk do ta lejojmë më këtë”, deklaroi Aref.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, konsiderohet një nga rrugët detare më strategjike në botë, pasi një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës dhe gazit kalojnë përmes saj. Çdo kufizim i mundshëm i lundrimit në këtë zonë shihet si faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në stabilitetin gjeopolitik të rajonit të Lindjes së Mesme.