Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama sot mbledh qeverinë dhe grupin e PS-së/Temat në fokus!

Kryeministri Edi Rama sot mbledh qeverinë e Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, në një takim ku në qendër të diskutimeve janë agjenda parlamentare dhe strategjia e komunikimit me qytetarët, kadastra dhe reforma territoriale.

Në Pallatin e Brigadave, takimi pritet të hapet me fjalën e kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ndërsa më pas do të ketë një adresim edhe nga shefi i qeverisë.

Sipas rendit të ditës, në mbledhje do të raportojë drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, si dhe bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative Territoriale, Arbjan Mazniku. Gjithashtu, do të prezantohet strategjia e komunikimit nga Erjona Ismaili.

Pas raportimeve, është parashikuar një seancë pyetje-përgjigjesh lidhur me problematikat e evidentuara në terren.

Prej javës së kaluar, Rama ka zhvilluar një sërë takimesh në “Vilën 30” në kryeqytet, ku është bërë një analizë e detajuar e punës së ministrive. Në këto takime kanë marrë pjesë zv.kryeministrja Albana Koçiu, drejtuesi i AKSHI-t Igli Tafa, si dhe disa ministra kabineti.

Në raportimin e ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës ekonomike në vend dhe problematikave në tregun e hidrokarbureve, përfshirë mundësinë e vendimmarrjes nga Bordi i Transparencës.

Më herët, kryeministri zhvilloi një tjetër takim me drejtues të lartë të qeverisë, ku në fokus ishte intensifikimi i komunikimit me qytetarët për programin qeverisës.