Aktualitet

Kryetarja e GJK-së, Zaçaj: Kërkova informacion nga SPAK-u për gjyqtarë nën hetim!

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i kërkon SPAK-ut informacion nëse ka ndonjë hetim të nisur për gjyqtarët e Kushtetueses.

Kërkesë për informacion për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari përsa kohë vendimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të gjykatës ku vetë SPAK-u është palë. Shkresa u dërgua 19 shkurt, ende s’kemi përgjigje zyrtare nga SPAK-u. Si kryetare e GJK-së, informova z.Dumani se s’jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga ndonjë avokat, funksionar politik e publik.

Më tej, Zaçaj renditi disa nga çështjet të cilat gjykata i ka vlerësuar si jokushtetuese në vitin që lamë pas.

Në këtë kuadër, një theks i veçantë iu kushtua të drejtës kushtetuese të pakicës parlamentare në drejtim të ngritjes së komisionit hetimor ashtu dhe të ushtrimit efektiv të saj, përmes hetimit parlamentar.

Gjykata konstatoi jokushtetues boshllëkun ligjor të shkaktuar nga mungesa e reflektimit në ligj të rregullit të bashkëpunimit kushtetues mes shumicës e pakicës parlamentare.

Jokushtetues u gjet dhe boshllëku ligjor i shkaktuar nga mungesa e garancive të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar.

Duke vënë theksin në rëndësinë e marrjes së provave për ushtrimin e kontrollit parlamentar efektiv, gjykata vlerësoi se vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave të kërkuara nga pakica parlamentare duhet të jetë një rast përjashtimor pasi mund ta bëjë jo efektive të drejtën dhe ushtrimin e vetë funksionit të Kuvendit e mund të krijojë përplasje kompetencash.

Gjykata gjeti jokushtetuese edhe dispozitat që parashikojnë detyrimin e Kuvendit për të kërkuar leje për thirrjen e dëshmitarëve nga prokuroria apo gjykata, ashtu edhe të drejtën e dëshmitarëve për të refuzuar dhënien e informacionit pasi cënojnë të drejtën për hetim parlamentar duke e bërë atë iluzive.

Ndërkaq, Zaçaj shtoi se gjatë 2024-ës, Gjykata Kushtetuese ritheksoi detyrimin kushtetues për zbatimin ndaj të gjitha organeve shtetërore të vendimeve të saj.

Mbi këtë parim kushtetues, Gjykata zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes pakicës parlamentare dhe Kuvendit, të lindur për shkak të moszbatimit nga ky i fundit të vendimit të gjykatës për dërgimin e çështjes së deklarimit të papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti.