Një ekip kirurgësh në Kaliforni kanë përfunduar, pas katër vitesh pune, transplantin e parë të fshikëzës së urinës te një pacient i gjallë, një operacion veçanërisht kompleks që konsiderohet një moment i rëndësishëm për mjekësinë. Marrësi, një 41-vjeçar që i mbijetoi një forme agresive të kancerit të traktit urinar dhe i dënuar me dializë, është mirë, ka rikuperuar funksionin e veshkave dhe është në gjendje të urinojë vetë, megjithëse rreziqet që lidhen me operacionin nuk mund të thuhet se janë kapërcyer.
Marrësi i transplantit, 41-vjeçari Oscar Larrainzar, baba i katër fëmijëve, kishte humbur më parë pjesën më të madhe të fshikëzës së urinës gjatë një procesi heqjeje të tumorit, duke e lënë pjesën tjetër shumë të vogël dhe të kompromentuar për të funksionuar. Të dy veshkat e tij u hoqën më pas për shkak të kancerit dhe sëmundjes së veshkave në fazën e fundit, dhe ai kishte qenë në dializë për shtatë vjet, shkruan A2 CNN.
Nëse një fshikëz normale e të rriturve, kur është e mbushur plotësisht, mund të mbajë 300-400 mililitra urinë, fshikëza e Larrainzar mund të mbajë vetëm 30 mililitra urinë.