Publikimi i një vale të re dokumentesh lidhur me Jeffrey Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes emra të fuqishëm dhe histori të errëta nga e shkuara.
Mes tyre, edhe emri i Melinda Gates, e cila ka reaguar publikisht për herë të rrallë, duke folur hapur për periudhën më të vështirë të jetës së saj personale dhe për akuzat që përfshijnë ish-bashkëshortin e saj, Bill Gates.
Në një intervistë për podkastin Wild Card të NPR, Melinda Gates, 61 vjeç, u pyet drejtpërdrejt për përmendjen e saj në dokumentet e reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Ajo e përshkroi gjithë situatën si pjesë të një procesi të gjerë llogaridhënieje shoqërore, duke pranuar se këto zbulime i rikthejnë kujtime tejet të dhimbshme nga martesa e saj.
Kam ecur përpara me vetëdije. E lashë pas atë kapitull dhe vazhdova jetën time
-u shpreh ajo, duke shtuar se sot ndodhet në një fazë të bukur dhe të papritur të jetës.
Sipas saj, pyetjet që mbeten pa përgjigje nuk i përkasin më asaj, por njerëzve që janë përmendur drejtpërdrejt në këto dosje.
Gjatë intervistës, u përmend edhe një email i dyshuar i vitit 2013, i atribuar Epstein, ku Melinda përmendet me emër.
Dokumentet e publikuara përmbajnë pretendime serioze për jetën private të Bill Gates, përfshirë akuza për afera jashtëmartesore dhe veprime të dyshuara që, sipas raportimeve, Melinda nuk i kishte ditur në atë kohë.
E pyetur se çfarë ndjeu kur lexoi këto raporte, ajo u përgjigj me një fjali të thjeshtë, por të rëndë:
Një trishtim i pabesueshëm
Megjithatë, Melinda theksoi se dhimbjen e saj përpiqet ta kthejë në dhembshuri për viktimat e Epstein, veçanërisht për vajzat e reja që, sipas saj, janë prekur në mënyrë të pariparueshme nga kjo histori.
Ndërkohë, një përfaqësues i Bill Gates ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur ato të pavërteta dhe shpifëse. Vetë Gates ka pranuar më herët se ka pasur takime me Epstein, por i ka cilësuar ato si një “gabim”.
Dosjet e publikuara përfshijnë mbi tre milionë dokumente, mes tyre email-e, fotografi dhe materiale gjyqësore, ku përmenden edhe figura të tjera të njohura botërore.
Autoritetet sqarojnë se përfshirja e një emri në dokumente nuk nënkupton automatikisht fajësi, por pritet të nxisë debat, reflektim dhe kërkesa të reja për drejtësi.
Një kapitull i errët duket se është rihapur, dhe pyetjet janë më shumë se përgjigjet.