Me një pasuri prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe ndikim të jashtëzakonshëm përmes Microsoft, Bill Gates mbetet një nga figurat më të njohura në botën e biznesit dhe teknologjisë.
Por sipas tij, rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë – një nga sfidat më të mëdha personale ka qenë prokrastinimi.
I lindur në Seattle në vitin 1955, Gates u pasionua që herët pas kompjuterëve. Në Harvard, ku nisi studimet përpara se të linte shkollën për të themeluar Microsoft me mikun e tij Paul Allen në vitin 1975, ai njihej si “studenti i minutës së fundit”.
Vetë Gates ka treguar në një intervistë të vitit 2005 se zakonisht përgatitej vetëm pak para provimeve, ndërsa mundohej të jepte përshtypjen se nuk ndiqte leksione e nuk lexonte.
Mirëpo, bota e biznesit i tregoi shpejt se vonesat dhe pritja deri në momentin e fundit nuk sjellin sukses. Gates pranoi se i deshën vite për të mposhtur këtë zakon dhe se u përpoq të adoptonte disiplinën dhe organizimin e kolegëve të tij.
Sot, pasi është tërhequr nga drejtimi i Microsoft, Gates i kushtohet kryesisht filantropisë përmes Fondacionit Bill & Melinda Gates, i cili mbështet projekte për shëndetin, arsimin, vaksinimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Përveç kësaj, ai investon edhe në energji të gjelbër dhe teknologji që ndihmojnë në përballimin e ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, Gates pranon se sfida personale vazhdon:
Vazhdoj të punoj mbi këtë, por prokrastinimi nuk është një zakon i mirë
-është shprehur ai.