Lifestyle

Kur bakshishi kthehet në stres të përditshëm!

Rregullat e pashkruara për dhënien e bakshishit ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por kohët e fundit, këto norma po zgjerojnë fushën e tyre për të përfshirë më shumë profesione dhe shumë prej tyre nuk ngurrojnë të kërkojnë 25%. Çfarë duhet të bëjnë konsumatorët, klientët dhe marrësit e porosive në një botë gjithnjë e më dixhitale?

Bakshishi ka qenë gjithmonë një ndërthurje mes kulturës, etikës dhe ekonomisë. Frank Sinatra njihej për bakshishet bujare me kartmonedha të reja 100-dollarëshe për stafin e shërbimit, por kjo ndodhte në një kohë kur 100 dollarë kishin tjetër vlerë.

Sot, kufijtë e qartë të dhënies së bakshishit janë turbulluar dhe konsumatorët janë më konfuzë se kurrë. Askush nuk çuditet kur lë një bakshish për kamarierin në një restorant të mirë, parukieren, barmenin apo punonjësin që të ndihmon me bagazhet në një hotel. Por çfarë ndodh me baristen në Starbucks? Apo me personin që merr porosinë te dritarja e një fast-foodi? Po te një kioskë vetë-shërbimi?

Historia e bakshishit thuhet se nis në Europën mesjetare, kur aristokratët jepnin shpërblime për shërbëtorët apo punëtorët. Me kohë, zakoni u zhduk nga Europa, por u përqafua nga Shtetet e Bashkuara dhe më vonë u rikthye si “eksport” në mbarë botën.

Sot, njerëzit japin bakshish për arsye të ndryshme: për t’u ndjerë më mirë me veten, për të bërë përshtypje te të tjerët, për të kompensuar pagat e ulëta të stafit të shërbimit, apo thjesht sepse u kërkohet. Sipas profesorit të marketingut në Universitetin Cornell, Michael Lynn, “disa japin bakshish për të siguruar trajtim më të mirë në të ardhmen, ndërsa të tjerë ndihen të detyruar nga norma sociale. Disa thjesht duan të ndihmojnë, të tjerë e bëjnë për të fituar aprovimin e të tjerëve”.

Në të shkuarën, një sasi e vogël parash lihej mbi tavolinë ose në kavanozin pranë arkës. Sot, kartat bankare, aplikacionet dhe ekranet me prekje kanë shtuar opsionet për dhënien e bakshishit e kanë shtuar edhe konfuzionin. Sipas profesorit Ismail Karabas nga Universiteti Murray State në SHBA, kemi shpërthim të kërkesave për bakshish, edhe pse shumat vetë nuk kanë ndryshuar aq shumë.

Gjatë pandemisë, shumë biznese kaluan në pagesa pa para në dorë dhe pajisjet e reja për pagesa përfshinë opsione të integruara për bakshish. Nëse pronari i biznesit nuk zgjedh të heqë këtë funksion, ekrani do të kërkojë automatikisht 15, 20 apo 25%. Shumë biznese nuk e çaktivizuan këtë opsion për arsye të ndryshme dhe kështu nisi ajo që tani quhet “tipflation”: inflacioni i kërkesave për bakshish.

Kur klientit i paraqiten opsionet për bakshish, shumë zgjedhin shpejt një prej tyre për të mos e mbajtur radhën pezull. Kështu, dizajni i teknologjisë ka ndikim real në sjelljen e konsumatorit. Profesori Lynn thotë se sa më e lartë të jetë shifra e sugjeruar, aq më shumë japin njerëzit, edhe pse mund të ulet numri i atyre që vendosin të japin. Edhe kompanitë që prodhojnë këto pajisje kanë interes të rrisin përfshirjen e bakshishit, sepse përfitojnë nga çdo transaksion që kalon përmes tyre./shqip.al