Rajoni

Kurti: Serbia po provokon Kosovën me stërvitje ushtarake pranë kufirit!

Kryeministri Albin Kurti akuzon Serbinë se po provokon Kosovën duke lejuar stërvitjen ushtarake në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit dhe afër kufirit me vendin. Sot në mbledhjen e qeverisë, Kurti theksoi se Serbia përdor ushtrinë si mjet shantazhi për ta mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, ndërsa i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë atë që e quajti “qasje destabilizuese të Serbisë”.

Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë përbën jo vetëm presion, nxitje tensioni dhe përpjekje për të frikësuar banorët atje, që kanë vite që po përballen me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat serb, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur të Republikës Kosovës.

Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë, nga njësia e brigadës 66 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopter H125M dhe kërcënimet me parashutë, disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiç, që realizoi sulmin agresor terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin policor Afrim Bunjaku, heroin e Kosovës.

Këto lëvizje ushtarake, të kombinuara me retorikën nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiç, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci- Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.