Në fjalën drejtuar dy kuvendeve, kryeministri Albin Kurti tha se “agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë e në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc, e kanë bërë urgjent anëtarësimin në NATO”.
Sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO.
Kurti vuri në dukje se si asnjëherë më parë kanë shtrirë sovranitetin në veri e sipas tij, “sulmet terroriste sporadike, të paramilitarëve të orkestruar e financuar nga Serbia, janë shprehje e pafuqisë së tyre”.
Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre.
Më tej shtoi se “Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fortë ushtarakisht”. Sipas Kurtit, në vitet 2021-2023, investimet arritën mbi 239 milion euro nga 4 milion që ishin në vitet 2018-2020.
NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO, mirëpo Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin, ka vetëm armatimin e shteteve anëtare. Për dallim nga vitet 2018-2020 kur kishim më pak se 4 milion investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milion euro investime në armatim e në municion. Pra, ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO pse nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse do të kontribuojmë.
Kryeministri përmendi edhe se Shqipëria është ndër 5 vendet e para që ka vëllimet më mëdha të shkëmbimeve tregtare e partnerja kryesore e Kosovës për vitin 2023, me vlerë 440 milion euro. Ndërkaq, vuri në dukje se shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Europë.
Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk kanë faj që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milion për Luginën, uroj të shërbejë ky si një shembull edhe për Shqipërinë.