Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet të premten pa u njohur me dokumentacionin e plotë që ka sjellë SPAK, i cili kërkon arrestimin e Belinda Ballukut. Kuvendi ju ka shpërndarë 10 anëtarëve të Këshillit, vetëm kërkesën e prokurorisë, por jo provat mbështetëse që ndodhen në një USB, siç SPAK i ka dorëzuar, me argumentin se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që këto informacione të ngelen sekret dhe ndalohet publikimi i tyre.
Zyra e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i tha Report TV se gjatë mbledhjes së ditës së premte, ku marrin pjesë edhe prokurorët, do të diskutohet edhe si do të trajtohen këto dokumente sekret hetimor.
“Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Edhe pse Peleshi thotë se ka zbatuar rregulloren e Kuvendit dhe urdhrin e prokurorit, këto veprime vihen në pikëpyetje, për sa kohë, Rregullorja e Kuvendit ka këtë parashikim. Neni 118 i rregullores së Kuvendit thotë se “kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.”
Gazment Bardhi dhe më pas Sali Berisha, akuzuan Ramën se po fsheh provat që implikojnë kryeministrin.
“Dosja e sjell nga SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, provon në mënyrë të plotë, se Edi Rama nuk po mbroka Belinda Ballukun, por veten e tij! Në fakt e kemi thënë që ditën e para, por ardhja e dosjes me të dhëna shtesë në Kuvend e dokumenton këtë me prova. Çfarë turpi, Kryeministër që merret me ndarjen e tenderave”, shkruan Bardhi.
Të premten do të mbahet seanca e parë për Ballukun në Këshillin e Mandateve. A pandehura mund të vijë vetë ose me avokatë, dhe mund të kërkojë kohë shtesë për tu mbrojtur.
Në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.
Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën.
Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.
Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Socialistët nuk kanë bërë asnjë koment për çështjen, veç reagimit të parë të Edi Ramës që premtoi një vendim të qartë e të denjë, ndërsa ish deputeti Petro Koçi, është i vetmi socialist që publikisht i ka kërkuar dorëheqjen Belinda Ballukut.