Rajoni

Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua as sot, Albin Kurti i ka dhënë ofertë Nismës!

Deputetët nuk arritën as sot për të 50-ën herë të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokimin e situatës. Në seancë ishin 104 deputetë. Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, u shpreh se forca e tij politike, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, ka bërë shumë përpjekje për konstituimin e Kuvendit dhe iu bëri thirrje të gjithë deputetëve për të reflektuar mbi situatën e krijuar.

Përpjekjet vazhdojnë. Kryeministri në detyrë ka pasur ofertë konkrete për disa parti politike. Aktualisht ka dhënë ofertë për Nismën Socialdemokrate, ndërsa në një fazë më të hershme ka pasur ofertë për të diskutuar për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, u shpreh Peci para gazetarëve duke përmendur se edhe me Kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas përfundimit të seancës, kryeministri në detyrë Albin Kurti paralajmëroi mbajtjen e një konference për media në orën 15:00. Palët vazhdojnë të mos gjejnë kompromis edhe pse përparon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit, por pa ofruar më shumë detaje se çfarë ndodh më pas, nëse partitë politike nuk arrijnë dakordësi deri atëherë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nuk pret zgjidhje as në ditët e mbetura.

Ajo që pritet është që pas afatit 30-ditor, ne të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por, një interpretim e kemi, ashtu siç kemi edhe një mosrespektim të tij. Që do të thotë se kemi një përmbysje të rendit kushtetues.

Do të shohim se si do të procedohet tutje, por është e qartë se pas 30 ditëve, nëse ky Kuvend nuk konstituohet, i ka humbur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe do të duhet një interpretim i ri, sepse as Gjykata nuk e ka përcaktuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.