Aktualitet Politikë

Kuvendi sot në seancë plenare, interpelanca dhe projektligje!

Kuvendi sot mblidhet në seancë plenare, ku në rendin e ditës parashikohen 3 interpelanca të kërkuara nga deputetët e opozitës.

Seanca nis me interpelancën urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, lidhur me krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO”.

Gjithashtu një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë kërkuar një  interpelancë urgjente me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me procesin e kualifikimit të mësuesve.

Në rend dite është edhe një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, lidhur me anulimin e tenderit për portin e ri të Durrësit.

Seanca vijon me shqyrtimin e disa projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndër to, projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe marrëveshja e financimit me institucionin italian “Cassa Depositi e Prestiti” për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.

Në rend dite është edhe ratifikimi i marrëveshjes me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2024, në kuadër të projektit “Green Vjosa”, që synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen për zbatimin e dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, si dhe ndryshimet në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të seancës, pritet të miratohet edhe një projektvendim për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.