Lifestyle

Kuzhina të duket e pastër, por mban erë? Ja fajtori i fshehur që shumica e njerëzve e injorojnë!

Nëse kuzhina juaj shkëlqen nga pastërtia, banaku i fshirë, koshi i zbrazur dhe dyshemeja e larë por megjithatë ndihet një erë e pakëndshme, problemi mund të vijë nga një vend që rrallë e mendoni: lavamani dhe tubat e shkarkimit.

Sipas pastruesit profesionist Jason, i njohur në rrjetet sociale si @jason.cleans, burimi i aromave të këqija zakonisht nuk është pjesa e dukshme e lavamanit, por tubat poshtë tij. Me kalimin e kohës, aty grumbullohen yndyrë, mbetje ushqimi, sapun, lagështi dhe papastërti të tjera, duke krijuar terrenin ideal për bakteret dhe mykun.

Nëse shtëpia është e pastër, por aroma e keqe nuk zhduket, lavamani i kuzhinës është shpesh shkaktari kryesor

-shpjegon Jason, duke theksuar se ky është një problem shumë më i zakonshëm sesa mendohet.

Zgjidhja, sipas tij, është e thjeshtë, e shpejtë dhe nuk kërkon produkte të shtrenjta. Mjaftojnë tre gjëra që gjenden pothuajse në çdo shtëpi: sodë buke, uthull e bardhë dhe ujë i nxehtë.

Procesi është i lehtë: fillimisht hidhni ujë të nxehtë në lavaman për të shkrirë yndyrën dhe për të zbutur mbetjet. Më pas, shtoni gjysmë filxhani sodë buke në tub dhe menjëherë pas saj një filxhan uthull të bardhë.

Përzierja lihet të veprojë për 10–15 minuta dhe në fund shpëlahet sërish me ujë të nxehtë. Jason këshillon që kjo rutinë të përsëritet një herë në muaj për ta mbajtur kuzhinën të freskët dhe pa erë.

Ekspertët e Plumbworld shtojnë se një tjetër burim i shpeshtë i aromave është pjesa në formë U nën lavaman, e cila mban ujë për të bllokuar erërat e kanalizimeve. Nëse ky ujë thahet ose tubi bllokohet, aromat e pakëndshme mund të rikthehen menjëherë në kuzhinë.

Gjithashtu, mbetjet e vogla të ushqimit, yndyra ose lagështia që mbetet në sipërfaqe pas larjes së enëve mund të kontribuojnë në problem. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë pastrim periodik dhe më të thellë, edhe kur gjithçka duket vizualisht e pastër.

Nëse kuzhina juaj mban erë pa ndonjë arsye të dukshme, mos e nënvlerësoni lavamanin, shpesh, zgjidhja fshihet pikërisht aty ku nuk e shihni.