Disa punonjës të Stellantis në SHBA mund të fitojnë një shumë të madhe parash nëse japin dorëheqjen në javët e ardhshme. Bëhet e ditur se prodhuesi i automjeteve po u ofron punonjësve deri në 66 mijë euro dhe gjashtë muaj përfitime mjekësore nëse e pranojnë ofertën. Stellantis konfirmoi ofertën duke thënë se punonjësit tani kanë kohë deri më 8 maj për të vendosur. Dhe ajo vjen vetëm për punonjësit e kualifikuar në objekte specifike në Michigan, Illinois dhe Ohio, ku prodhohen automjete si Jeep Wrangler dhe Ram 1500.
Ndryshe, oferta e fundit vjen pasi prodhuesi i automjeteve bëri propozime të ngjashme për 33,000 punonjës në 2023 dhe për 11,000 të tjerë në 2024. Ndërsa është e paqartë se sa punonjës synon Stellantis me këtë raund. Rikujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një përjashtim për tarifat e automjeteve për Meksikën dhe Kanadanë për një muaj. Kështu deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila ka dhënë disa detaje gjatë një konference për shtyp me mediat në Shtëpinë e Bardhë. “Biseduam me tri gjigantët e shitjeve të automjeteve. Do të bëjmë një përjashtim prej një muaji për çdo automjet që kalon përmes USMCA”-tha Trump në një deklaratë të lexuar me zë nga Leavitt.
“Tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi më 2 prill. Por, me kërkesë të kompanive që janë të lidhura me USMCA, presidenti po u jep atyre një përjashtim për një muaj në mënyrë që ata të mos jenë në një pozicion ekonomik të pafavorshëm”-shtoi ajo. Kanadaja gjatë ditës së djeshme ka vendosur tarifë prej 25 për qind për të gjitha produktet amerikane. Ndërkaq, shitjet në mbarë botën të automjeteve elektrike me bateri (BEV) u rritën vitin e kaluar në 10.4 milionë, rreth 14% më shumë se një vit më parë, sipas një studimi nga konsulentët e menaxhimit PwC. Në 21 tregjet e ekzaminuara nga PwC, Kina dominoi me gati dy të tretat e vëllimit, konkretisht 6.7 milionë BEV. Ajo gjithashtu kryeson në rritje me mbi 20%, dukshëm mbi mesataren bazuar në shifrat e rishikuara të vitit të kaluar.