Ndërsa shumë shkolla në Angli kanë ndaluar përdorimin e smartfonëve, në Estoni e cila konsiderohet si fuqia e re evropiane e arsimit, nxënësve u kërkohet rregullisht të përdorin pajisjet e tyre në klasë dhe nga shtatori, atyre do t’u jepen llogaritë e tyre të Inteligjencës Artificiale. Vendi i vogël baltik me popullsi 1.4 milion është bërë në heshtje vendi me performancën më të lartë në Evropë, në programin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve (PISA), duke tejkaluar fqinjën e saj të afërt Finlandën.
Ka shumë arsye për suksesin e Estonisë, por përqafimi i gjithçkaje digjitale e dallon atë nga të tjerët. Ndërsa Anglia dhe vende të tjera e kufizojnë përdorimin e telefonit në shkollë për shkak të shqetësimeve se ai dëmton përqendrimin dhe shëndetin mendor, mësuesit në Estoni i inkurajojnë në mënyrë aktive nxënësit ta përdorin telefonin e tyre si një mjet mësimor. Tani Estonia po lançon një iniciativë kombëtare të quajtur AI Leap, e cila thotë se do t’i pajisë nxënësit dhe mësuesit me “mjete dhe aftësi të Inteligjencës Artificiale të nivelit botëror”.
Licencat po negociohen me OpenAI, gjë që do ta bëjë Estoninë një platformë testimi për Al në shkolla. Qëllimi është të ofrojë qasje falas në mjetet e të nxënit të Al për 58,000 nxënës dhe 5,000 mësues deri në vitin 2027, duke filluar me 16 dhe 17-vjeçarët këtë shtator. Zyrtarët thonë se kjo do ta bëjë Estoninë “një nga vendet më të zgjuara që përdorin Al”.
Rikujtojmë, se qeveria daneze ka njoftuar ndryshime në ligjet ekzistuese me qëllim ndalimin e telefonave celularë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme shtetërore. Kjo do të bëhet me rekomandimin e Komisionit shtetëror për Mirëqenien e Popullsisë dhe praktikisht do të thotë se pothuajse të gjithë fëmijët e moshës shtatë deri në 17 vjeç do të jenë të detyruar ligjërisht të mos marrin celularët e tyre në shkollë. Ky njoftim vjen pasi qeveritë në të gjithë Evropën po përpiqen të vendosin rregulla më të rrepta në lidhje me aksesin e fëmijëve në telefon dhe media sociale.