Aktualitet Politikë

Rama vizitë punë në Estoni, merr pjesë edhe në Konferencën “Lennart Meri 2026”!

Kryeministri Edi Rama, sot zhvillon vizitë pune në Tallinn, Estoni, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën “Lennart Meri 2026”, një nga forumet më të rëndësishëm ndërkombëtarë të debatit mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale, e organizuar këtë vit nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”.

Kryeministri Rama është i ftuar në panelin hapës “Një urë mbi ujëra të trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”, përkrah liderëve e përfaqësuesve të lartë euroatlantikë ku diskutimi fokusohet në të ardhmen e partneritetit transatlantik, forcimin e shtyllës europiane të NATO-s, sfidat e sigurisë globale dhe rolin e Ukrainës në arkitekturën e re të sigurisë europiane.

Në kuadër të vizitës, Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal në Shtëpinë Stenbock, pasuar nga takimi mes dy delegacioneve, si dhe do të mikpritet nga presidenti i Estonisë, Alar Karis, në zyrën e tij.

Gjatë qëndrimit në Tallin, kryeministri dhe delegacioni shqiptar do të vizitojnë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, ku do të takohen me drejtuesit e do të njihen me veprimtarinë dhe rolin e qendrës në forcimin e mbrojtjes kibernetike në kuadër të NATO-s.

Pjesë e agjendës është edhe vizita në Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, si dhe ndalesa në e-Estonia Briefing Centre, një nga qendrat më të njohura ndërkombëtare të inovacionit dhe qeverisjes digjitale.

Ndër të tjera, Rama do të japë një intervistë për të përditshmen estoneze “Postimees”, mbi perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.