Sport

Kylian Mbappé merr fanellën me numrin 10 te Real Madrid?

Kylian Mbappé do të mbajë zyrtarisht fanellën me numrin 10 te Real Madrid, duke pasuar legjendën kroate Luka Modrić. Vetë sulmuesi francez e konfirmoi lajmin përmes një postimi enigmatik në rrjetet sociale, ku publikoi thjesht numrin “10”, duke ndezur menjëherë reagimet e fansave.

Fanella me numrin 10 ishte mbajtur për gati një dekadë nga Modrić, i cili e mbylli këtë verë aventurën e lavdishme në Madrid pas 13 sezoneve.

Me largimin e tij, numri simbolik mbeti i lirë, por tashmë klubi ka vendosur t’ia besojë atë liderit të ri të projektit të Xabi Alonsos.

Pas një sezoni të parë me numrin 9, Mbappé do të marrë numrin me të cilin shkëlqen edhe me Kombëtaren e Francës, duke vulosur pozicionin e tij si pikë qendrore e skuadrës “los blancos”.

Ndërkohë, fanella me numrin 9 mbetet e lirë për momentin dhe pritet të merret nga një përforcim i ri gjatë merkatos së verës.

Ky ndryshim nuk ka ndikim vetëm sportiv, por edhe komercial. Në dyqanet zyrtare të Real Madridit tashmë kanë nisur shitjet e fanellave të reja “Mbappé 10”.

Versioni standard i fanellës kushton 125 euro, ndërsa ai ‘pro’, i njëjtë me atë që veshin lojtarët në fushë, kushton 175 euro.

Klubi madrilen shpreson të përsërisë suksesin komercial të vitit 2009, kur fanellat ‘CR9’ të Cristiano Ronaldos u shitën me ritëm marramendës prej 15 copë në minutë në ditën e parë, duke sjellë mbi 170 mijë euro në vetëm pak orë.

Në total, sezoni debutues i Ronaldos solli mbi 1 milion fanella të shitura dhe më shumë se 100 milionë euro të ardhura.

Tani, me Mbappé që mban numrin 10, Real Madrid synon jo vetëm të pushtojë futbollin europian, por edhe të forcojë statusin si klubi me markën më të fuqishme në botë.