Sport

Humbet 5 kg nga viroza, por Mbape është gati të rikthehet!

Siç rëndom ka ndodhur gjatë këtyre ditëve të turneut në SHBA, edhe dje, Reali i Madridit publikoi imazhe të seancës stërvitore të skuadrës në Palm Beach. Dhe padyshim që e gjithë vëmendja ka qenë te Kilian Mbape, i cili është kthyer në stërvitje.

Pamjet nxorën në pah humbjen e dukshme në peshë të sulmuesit francez për shkak të shpërthimit viral që e ka prekur atë, që kur Madridi mbërriti në Shtetet e Bashkuara dhe që madje çoi në shtrimin e tij në spital pesë ditë më parë. E vërteta është se gjendja virusale që ka prekur Mbapenë ka lënë gjurmë në fizikun e lojtarit. Shërbimet mjekësore të Madridit vlerësojnë se sulmuesi ka humbur rreth pesë kilogramë, një rënie e dukshme për një atlet të elitës, pesha normale e të cilit është rreth 75 kilogramë.

Imazhet e procesit që iu nënshtrua lojtari francez, i cili mezi ka mundur të stërvitet normalisht që kur Madridi zbarkoi në tokën amerikane më 15 qershor, ishin të qarta . Virusi preku Mbapenë vetëm disa orë pasi Madridi mbërriti në Palm Beach dhe, si rezultat, ai ka humbur dy ndeshjet e para të “Los Blancos”. Në fakt, është e mundur që ai të humbasë edhe ndeshjen e fundit në grup kundër Salzburgut, në orët e para të së premtes në “Lincoln Field” në Filadelfia. Megjithatë klubi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Mbape të luajë disa minuta në derbin europian kundër Salzburgut, në varësi të progresit të tij në ditët në vijim.

Dëshira e Mbapesë për të luajtur është e madhe në fakt. Ai mezi pret të debutojë me “Los Blancos” në Kupën e Botës për Klube. Jo më larg se dje, pas seancës stërvitore të ekipit, kapiteni i kombëtares franceze ka publikuar një mesazh të qartë në profilin e tij në “Instagram”. Ai ka shkruar: “Pritjes po i vjen fundi, Gati për tu kthyer”. Një mesazh i qartë i Mbapesë dhe një lajm i mirë për Realin në funksion të ndeshjeve në fazën e eliminimit direkt, natyrisht nëse nuk do të ndodhë ndonjë e papritur e madhe ndaj Salzburgut në ndeshjen e fundit në grup.