Aktorja spanjolle Ester Expósito ka folur për herë të parë mbi vëmendjen e madhe që po merr jeta e saj private, ndërsa prej muajsh emri i saj përmendet vazhdimisht në mediat rozë për shkak të raportimeve që e lidhin me yllin francez të futbollit, Kylian Mbappe.
Në një intervistë për Le Parisien, ylli i serialit “Elite” kritikoi kulturën e ekspozimit që, sipas saj, është përkeqësuar nga telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale, duke theksuar se sot pothuajse kushdo mund të sillet si paparac.
Ajo u shpreh se nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën si jeton dhe se do të vazhdojë ta mbrojë privatësinë e saj.
Njerëzit sot kanë një telefon në dorë dhe mund të bëhen paparacë në çdo moment. Është diçka që e bën shumë më të vështirë ruajtjen e jetës private
-tha aktorja.
Expósito u ndal edhe te futbolli, një temë që ka tërhequr interes të madh për shkak të zërave për një romancë me Mbappen, por edhe rolit të saj në filmin e ri “Baton”.
Me humor, ajo pranoi se nuk ka qenë kurrë ndjekëse e këtij sporti.
Nuk di asgjë për futbollin! Kam qenë në stadium vetëm disa herë gjatë gjithë jetës sime
-u shpreh ajo.
Megjithatë, aktorja tha se puna në projektin e ri kinematografik e ka afruar më shumë me këtë botë dhe i ka zgjuar kureshtjen për sportin më të ndjekur në planet.
Prej kohësh, Ester Expósito dhe Kylian Mbappe përfliten për një lidhje romantike, por asnjëri prej tyre nuk i ka konfirmuar publikisht këto spekulime.
Pavarësisht interesimit të madh të publikut, aktorja theksoi se dëshiron që vëmendja të përqendrohet tek projektet e saj artistike dhe jo te thashethemet për jetën personale.
Do të vazhdoj ta mbroj privatësinë time dhe të ndaj me publikun vetëm atë që zgjedh vetë
-la të kuptohet ajo.