Aktualitet Bota

Lamtumira për Papa Françeskun, gjithçka gati për varrimin solemn!

Gjithçka gati për varrimin solemn të Papa Françeskut duke nisur nga ora 10:00. Sheshi Shën Pjetër, si edhe Via della Conciliazione e rrugët përreth po mbushen me njerëz, të cilët duan të marrin pjesë në ritin e varrimit për t’i dhënë lamtumirën Papës.

Rreth 4 mijë gra dhe burra nga radhët e forcave të policisë janë vendosur në terren, krahas 4 mijë vullnetarëve nga Mbrojtja Civile, për të garantuar sigurinë. Portat u hapën në orën 05:30. Priten të paktën 200 mijë besimtarë, të cilëve do t’iu shtohen personat që do të pozicionohen përgjatë rrugës së kortezhit mortor e përballë Santa Maria Maggiore, ku pritet varrimi.

Të paktën 160 delegacioneliderëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota, mes tyre Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjithashtu ka mbërritur në Romë. Papa do të bëjë “udhëtimin” e tij të fundit tokësor me automjetin papnor.

Për procesionin e varrimit nga Shën Pjetri në Santa Maria Maggiore, pjesa e dyshemesë së automjetit që Papa kishte përdorur në një udhëtim në Lindje, u ripërdor. Më shumë se 250 mijë vetë hynë në Shën Pjetër për t’i bërë nderimet e fundit Papës gjatë tre ditëve në të cilat trupi i tij u ekspozua në bazilikë, para ceremonisë së mbylljes së arkivolit, dje në mbrëmje.

Riti i mbylljes së arkivolit të Papës Romake u zhvillua në orën 20:00, pranë Altarit të Rrëfimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, siç u njoftua zyrtarisht. Gjatë ritit, i kryesuar nga kardinali kamerlengu, Kevin Joseph Farrell, mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike të Selisë së Shenjtë, Imzot Diego Ravelli lexoi veprën, e cila u vendos në arkivol në fund të kremtimit.

Përveç atyre të përmendur në njoftimin e Zyrës së Kremtimeve Liturgjike, në rit morën pjesë edhe disa familjarë të Papës së ndjerë. Kremtimi, i mbajtur sipas normave të Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, përfundoi në orën 21.00. Gjatë natës, Kapitulli i Shën Pjetrit siguroi praninë e lutjes dhe vigjiljes pranë trupit të Papës së ndjerë, deri në përgatitjet për Meshën e Shenjtë, sot paradite.