Çmimet prestigjioze Latin Grammy 2025 janë gati të ndizen këtë të enjte në Las Vegas, duke premtuar një mbrëmje plot muzikë, emocione dhe yje të mëdhenj të skenës latine.
Ceremonia e 26-të vjetore do të mbahet më 13 nëntor në “MGM Grand Garden Arena”, duke shënuar rikthimin e saj në qytetin e dritave pas një viti në Miami, ku ndodhet edhe selia e Akademisë Latine të Regjistrimeve.
Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në platformat amerikane të “TelevisaUnivision”, përfshirë Univision, UNIMÁS, ViX dhe Galavisión, duke filluar nga ora 20:00 sipas orës lindore (ET).
Si zakonisht, shumica e çmimeve do të ndahen më herët gjatë ceremonisë paraprake të Latin Grammy Premiere.
Në skenën madhështore të këtij viti do të performojnë disa prej emrave më të njohur të muzikës latine, si Bad Bunny, Karol G, Marco Antonio Solís, CA7RIEL & Paco Amoroso, Fuerza Regida dhe këngëtari Jesús Ortiz Paz.
Publiku do të shijojë gjithashtu performanca nga Pepe Aguilar, Aitana, Ivan Cornejo, DannyLux, Gloria Estefan, Kakalo, Carín León, Liniker, Morat dhe Los Tigres del Norte.
Në qendër të vëmendjes do të jetë edhe Raphael, i cili është shpallur “Personi i Vitit 2025” nga Latin Grammy.
Për prezantimin e këtij spektakli do të kujdesen Maluma dhe aktorja e njohur Roselyn Sánchez, e cila do të ngjitet për të tetën herë në radhë në skenën e Latin Grammy si prezantuese.