Aktualitet

“Lavdi Dëshmorëve të Atdheut”, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve!

Ndërsa Shqipëria feston 81-vjetorin e Çlirimit, një ditë kujtese e sakrificës sublime për mijëra të rinj e të reja që ranë heroikisht në emër të lirisë, autoritetet më të larta të vendit, sot bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si edhe drejtues vendorë, veteranë e familjarë të dëshmorëve.

Duke u përulur me respekt në përkujtim të Dëshmorëve të Atdheut, vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

Nga 7 prilli i vitit 1939 e deri më 29 nëntor 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, nga forcat gjermane.

29 nëntori 1944 ka hyrë në histori si dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesit gjermanë. Pas çlirimit të kryeqytetit më 17 Nëntor, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës, 81 vjet më parë, më 29 nëntor 1944-ës.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një ndër ngjarjet më të lavdishme të vendit tonë, jo vetëm pse u çliruam nga okupatori nazifashist, por kjo fitore e radhiti Shqipërinë në krahun e forcave fituese të luftës, krah aleatëve të mëdhenj: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.

Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, çlirimi i Shqipërisë u bë pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe. Lufta e popullit shqiptar ishte më gjithëpërfshirësja në historinë e tij, sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën e mbi përfshirjen territoriale të vendit. Shqipëria u bë pjesë e koalicionit euroatlantik antifashist, ku është edhe sot si anëtare e NATO-s.