Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se Drejtoria e Legalizimeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës së Durrësit është gjetur në shkelje të ligjit me praktika abusive, ndërsa kërkoi shkrirjen e kësaj drejtorie.
Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se drejtoria e Antikorrupsionit ka zbuluar shkelje të rënda nga punonjësit e drejtorisë.
Tek Agjencia shtetërore e Kadastrës Durrës, ne kemi çuar si masë për shkarkim nga detyra pothuajse të gjithë drejtorinë. Praktikisht, ne kemi referuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pra drejtorit të përgjithshëm të Kadastrës, shkrirjen e kësaj drejtorie…Në këto dosje ka rezultuar se mungonin totalisht dokumentet më të rëndësishme që kërkon ligji, praktikë pune abuzive dhe fiktive pa vetëdeklarime për legalizim, pa kartela të pasurisë apo statusit juridik të pronës, pa harta treguese e shkelje të tjera.
Manja komenton edhe raportin e TI për korrupsionin
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka komentuar raportin e Transparency International, në lidhje me korrupsionin në vend. Raporti tregonte që Shqipëria kishte zbritur një pikë në renditje.
Sakaq, në një prononcim për mediat ai Manja tha se nuk e kishte përvetësuar raportin dhe shtoi se lufta ndaj korrupsionit është një detyrim ndaj qytetarëve dhe fëmijëve.
“Jemi duke diskutuar raportin e TI. E konsiderojmë mbi punën tonë, por në radhë të parë luftën ndaj korruspionit qoftë si perceptim apo korrupsion real konkret e kemi detyrim ndaj fëmijëve tanë, qytetarëve tanë për ta bërë një mjedis ku shteti ofron shërbimet publike në mënyrë cilësore. Aty ku futet korrupsioni kemi cënime të standardit të qytetarëve. Do të kemi një strategji konkrete për luftën ndaj korrupsionit.
Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të ketë sukses nëse nuk bashkëpunojmë të gjithë së bashku, edhe ju si media. Ju ftoj që gjatë 2022 ju t’ju kem aleatin më të fortë gjatë kësaj lufte”, tha Manja.