Brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 5, Baby G ka bërë një rrëfim prekës, duke hapur një plagë të thellë që e ka shoqëruar familjen e saj që nga vitet e para të jetës.
E përlotur, këngëtarja tregoi historinë e vëllait të saj, fëmijës së parë të familjes, i cili humbi jetën menjëherë pas lindjes. Një humbje që la gjurmë të pashlyeshme tek prindërit e saj dhe tek vetë ajo, edhe pse nuk e ka njohur kurrë.
Pas kësaj tragjedie, familja u bekua me tri vajza, por dhimbja nuk ishte sfida e vetme me të cilën u përballën.
Baby G zbuloi se prindërit e saj u vunë përballë një presioni të fortë shoqëror, sidomos babai i saj, i cili sipas saj dëgjonte vazhdimisht komente fyese dhe paragjykuese.
Njerëzit i thoshin babait tim: ‘Leje gruan se nuk po të bën djalë’
-rrëfeu ajo, duke e cilësuar këtë si një nga përvojat më të rënda dhe më të padrejta për familjen e tyre.
Pavarësisht këtyre zërave, babai i Baby G nuk u dorëzua asnjëherë përballë mentalitetit të vjetër.
Përkundrazi, ai qëndroi i palëkundur pranë bashkëshortes dhe vajzave të tij, duke i mbrojtur dhe duke u shprehur gjithmonë krenar për familjen që kishte.
Këngëtarja e përmbylli rrëfimin duke e quajtur të atin një shembull force dhe dashurie, ndërsa historia e saj preku thellë banorët e shtëpisë dhe publikun, duke rikthyer në vëmendje paragjykimet që ende ekzistojnë në shoqëri.