Politikë Zgjedhjet 2025

Lëvizja Bashkë çel fushatën nën moton “E Reja Po Lind”

Lëvizja Bashkë ka çelur zyrtarisht fushatën e saj zgjedhore nga qyteti i Fierit, ku u bë me dije edhe slogani politik me të cilin do të dalin përpara qytetarëve.

“E Reja Po Lind” është thirrja që Arlind Qori, kreu i Lëvizjes dhe eksponentët e tjerë të forcës së majtë politike përmendën gjatë takimit, me premtimin se së shpejti – përtej “lindjes së të resë” në Fier – ajo do të shihet edhe anekënd Shqipërisë.

LEXO EDHE:  Rama njoftoi hapjen e garës për stadiumin ‘Selman Stërmasi’, reagon Qori: Do zhdukin parkun, për të ndërtuar kulla!

Kreu i listës së Tiranës, Redi Muçi, apo ajo e listës së Fierit, Mirela Ruko, ishin gjithashtu pjesë e takimit, ku u prezantuan edhe kandidatët për qarkun jugor të Lëvizjes.

Disa pika ndërkaq, në formë manifesti, janë shpalosur gjatë hapjes së fushatës, duke i përmendur si më poshtë:

-E reja po lind në çdo padrejtësi që pëson populli shqiptar.

-E reja po lind te bujku që keqpaguhet dhe e çon dëm produktin bujqësor.

-E reja po lind te çdo punëtor i industrisë që ka ngelur pa punë.

-E reja po lind te çdo profesionist i lirë që nuk çan dot në treg.

-E reja po lind te çdo sipërmarrës i ndershëm që përballet me oligarkinë monopoliste.

-E reja po lind te çdo i ri dhe e re që sytë i kanë përtej kufirit.

-E reja po lind te çdo pensionist që vuan në varfëri.

-E reja sot lindi në Fier! Së shpejti, anekënd Shqipërisë!

Këto kanë qenë një sërë tabulatesh të përsëritur në takim dhe të shpalosur si zhvillues të mëtejshëm të fushatës së Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet e 11 majit.

Kjo është hera e parë që lëvizja dikur aktiviste merr pjesë si parti e mirëfilltë politike në zgjedhje dhe pretendon edhe mandate, pas një suksesi të një mandati të gjeneruar në Tiranë për Këshillin Bashkiak në vitin 2023.