Aktualitet Politikë

Arlind Qori: Nëse bujqësia nuk rrit produktivitetin, ekonomia shqiptare ka për të qenë gjithmonë në krizë!

Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë që renditet me numrin 2 në fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, tërheq vëmendjen lidhur me problemet e bujqësisë në vend dhe shtrenjtësisë së imputeve bujqësore.

Pesticidet e në përgjithësi inputet bujqësore janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Në Shqipëri i kontrollojnë pak firma oligarkësh që iu imponojnë bujqve e fermerëve, çmime jashtëzakonisht të larta.  Ne në programin tonë për bujqësinë kemi mbështetjen e bujqve edhe nëpërmjet subvencionimit të imputeve bujqësore.

Nëse Shqipëria nuk mëkëmb bujqësinë, nëse në Shqipëri bujqësia nuk rritet, nuk rrit produktivitetin e saj, ekonomia shqiptare ka për të qenë gjithmonë në një krizë. Na duhet një transformim i madh, na duhet një transformim që nis nga bujqësia dhe industria e pastaj shkon në komponentët e tjerë të shtetit social.

 

Në një tjetër postim, Qori shkruan:

Më bën përshtypje kritika që më drejtohet herë nga kundërshtarët politikë e herë nga cinikët e çfarëdoshëm, sipas të cilëve përditshmëria ime modeste është handikap politik, sipas parimit: “Ti që nuk ke rregulluar veten, dashke të rregullosh Shqipërinë.” Sipas këtij këndvështrimi, ku i varfri është “pabuks” dhe kush nuk aspiron të bëhet i pasur është “idiot”, kusht i arritjes profesionale, politike e njerëzore është pasuria. Më vjen keq, por kush ëndërron me çdo kusht pasurinë, druaj se është i varfër shpirtërisht. Kush e ka këtë ëndërr, ndërkohë që merret me politikë, është kopuk.
Ne, aktivistët e Lëvizjes BASHKË, jemi tjetërsoj. Kemi të tjera ëndrra e të tjera burime frymëzimi.