Bisedimet për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Europian (BE), sot bëjnë bashkë në Durrës, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për samitin e Bërdo-Brionit.
Tema e këtij viti është “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.
Takimi përqendrohet në të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.
Vendi ynë ka shënuar përparim të madh kohët e fundit duke hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim ndërsa shtetet e tjera kanë ngecur në këtë pikë.
Ky samit bën bashkë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Përballja në të njëjtën tryezë pason akuzat më të fundit mes tyre, në lidhje me sigurinë në rajon.
Në fundjavë, Osmani u shpreh se “thirrjet e pamatura” të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit. Reagimi pasoi deklaratën e Vuçiçit, i cili të premten e kaluar u shpreh:
Të gjithë po përgatiten për luftë dhe Kosova po përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës, për të bindur shumicën e shteteve europiane dhe vendet e NATO-s, t’i mbajnë anën Prishtinës.
Edhe Vuçiç po i referohej komenteve të mëparshme të presidentes kosovare kur foli për luftën, pasi javën e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Europian në Danimarkë, i pati bërë thirrje Europës të parandalojë ato që i quajti “taktika agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Takimi organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, si dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, dy prej nismëtarëve të samitit, ndërsa drejtohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, si mikpritës në Durrës.
Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia e Kroacia, synon që të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjithçka vjen në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku krahas temës së integrimit europian do të trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal e ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.