Lidhja mes preferencave muzikore dhe nivelit të inteligjencës ka qenë gjithmonë një temë intriguese për studiuesit. Një sërë kërkimesh të fundit, të mbështetura edhe nga inteligjenca artificiale, sugjerojnë se zgjedhjet muzikore mund të lidhen me aftësitë njohëse të individëve.
Sipas studimit, personat me prirje drejt zhanreve si Reggaeton, Trap apo pop-i komercial, shpesh tregojnë rezultate më të ulëta në testet e inteligjencës.
Këto stile muzikore karakterizohen nga struktura të thjeshta, ritme të përsëritura dhe tekste më pak komplekse, çka i bën të lehta për t’u ndjekur pa shumë përqendrim apo analizë.
Në të kundërt, individët që preferojnë muzikën klasike, jazz-in apo rock-un me ndërlikime më të mëdha strukturore, shpesh rezultojnë me aftësi njohëse më të zhvilluara.
Sipas ekspertëve, këto zhanre kërkojnë një nivel më të lartë vëmendjeje, interpretimi dhe analize, duke nxitur mendimin kritik dhe kreativitetin.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se nuk duhet nxjerrë një përfundim absolut. Preferencat muzikore ndikohen nga një sërë faktorësh, përfshirë edukimin, kulturën, ambientin shoqëror dhe përvojat personale.
Kjo do të thotë se muzika nuk mund të shihet si një matës i drejtpërdrejtë i inteligjencës, por më tepër si një tregues i prirjeve individuale dhe kontekstit në të cilin njerëzit rriten.
Ekspertët theksojnë se pavarësisht dallimeve, muzika mbetet një gjuhë universale që prek emocionet dhe jetën e përditshme të secilit individ, duke kapërcyer kufijtë e matjeve shkencore.