Aktorja e njohur Lily Collins, ylli i serialit Emily in Paris, ka folur sërish hapur për luftën e saj të gjatë me një çrregullim të të ngrënit, duke theksuar se shërimi nuk është një pikë mbërritjeje, por një proces i vazhdueshëm.
36-vjeçarja e bëri këtë rrëfim me rastin e Javës së Ndërgjegjësimit për Çrregullimet e të Ushqyerit, duke pranuar se të flasësh publikisht për një betejë kaq personale është njëkohësisht e frikshme dhe çliruese.
Askush nuk duhet të vuajë në heshtje dhe turp
-theksoi ajo në një postim në Instagram më 26 shkurt.
Collins vlerësoi gjithashtu punën e National Eating Disorders Association (NEDA), duke e cilësuar si “punë që shpëton jetë”, për mbështetjen dhe ndërgjegjësimin që ofron për personat që përballen me çrregullime të të ushqyerit.
Aktorja kishte folur për herë të parë hapur mbi këtë temë në vitin 2017, pas interpretimit të një vajze që lufton me anoreksinë në filmin dramatik To the Bone. Roli ishte veçanërisht personal për të, pasi ajo vetë kishte kaluar përvoja të ngjashme.
Në librin e saj me ese “Unfiltered: No Shame, No Regrets, Just Me”, Collins zbulon se problemet nisën në moshën 16-vjeçare, në një periudhë të vështirë familjare, kur babai i saj, muzikanti Phil Collins, po kalonte një divorc.
Ajo rrëfen se dhimbja dhe konfuzioni i asaj kohe, të kombinuara me presionin për pamjen fizike në dy karrierat që kishte zgjedhur, ndikuan thellë në shëndetin e saj.
Duke reflektuar mbi përvojën dhe rolin në “To the Bone”, Collins thekson se ndërgjegjësimi dhe hapja janë thelbësore.
Sipas saj, rikuperimi duket ndryshe për secilin dhe kërkon kohë, por lidhja me të tjerët dhe mbështetja e organizatave si NEDA e kanë ndihmuar të mos ndihet më e vetmuar në këtë rrugëtim.