Aktorja Lily-Rose Depp, vajza e Johnny Depp dhe Vanessa Paradis, është parë në sheshxhirimin e filmit të saj më të ri horror “Werwulf” në Angli, dhe transformimi i saj për rolin ka habitur jo pak njerëz.
Ylli 25-vjeçar dukej pothuajse e panjohshme, e mbuluar me një kostum të rëndë leshi dhe me proteza në fytyrë, duke iu përshtatur plotësisht atmosferës së errët të filmit.
Ngjarjet e “Werwulf” zhvillohen në Anglinë e shekullit të 13-të dhe regjisori Robert Eggers, i njohur për filmat e tij horror me saktësi historike si “The Witch”, “The Northman” dhe “The Lighthouse”, vazhdon t’i qëndrojë besnik stilit të tij autentik.
Sipas The Hollywood Reporter, skenari është shkruar me dialogë që pasqyrojnë gjuhën e kohës, ndërsa për shikuesit do të ketë përkthime dhe shënime për fjalët e vështira të anglishtes së vjetër.
“Werwulf” shënon bashkëpunimin e dytë radhazi mes Lily-Rose Depp dhe Eggers, pas projektit të tyre “Nosferatu”.
Në kast përfshihen edhe aktorë të njohur si Aaron Taylor-Johnson, Willem Dafoe, Ralph Ineson dhe Simon McBurney, të cilët janë parë në sheshxhirim të veshur me kostume historike dhe me mjekra të dendura.
Përveç “Werwulf”, Lily-Rose Depp ka disa projekte të tjera në horizont. Sipas Deadline, ajo do të luajë në filmin “Alpha Gang” përkrah Chris Pine, Cate Blanchett, Léa Seydoux dhe Dave Bautista. Gjithashtu, në adaptimin filmik të romanit të Cormac McCarthy “Outer Dark”, ajo pritet të ndajë skenën me aktorin Jacob Elordi.
Premiera e “Werwulf” në kinema është planifikuar për 25 dhjetor 2026, duke e kthyer filmin në një nga projektet më të shumëpritur të fundvitit.