Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga fshati i Linit, duke njoftuar se ky vend i veçantë është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe tashmë është përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s, si pjesë e “Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit”.
Ky status i ri vlerëson bukurinë e rrallë të Linit, ku ndërthuren në mënyrë të përkryer peizazhi natyror dhe trashëgimia kulturore. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë karakteristike prej guri dhe druri, si dhe pamja magjepsëse mbi liqenin e Ohrit, e bëjnë Linin një nga vendet më të veçanta të Shqipërisë.
“MIRËMËNGJES dhe nga fshati i bukur i Linit që sapo është shpallur ‘Ansambël Arkitektonik Urban’, duke u përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.