Tetë nga pengjet izraelitë që do të lirohen në javët e ardhshme sipas fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës janë të vdekur, njoftoi zëdhënësi i qeverisë izraelite. David Menser thotë se Hamasi ka dhënë detaje se cilët prej pengjeve janë gjallë dhe cilët kanë vdekur.
“Familjet janë informuar për gjendjen e njerëzve të tyre”, theksoi zëdhënësi Menser gjatë një konference për shtyp.
Kjo do të thotë se nga 26 pengjet që pritet të kthehen në vendin e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, vetëm 18 janë ende gjallë.
Ndërkaq një sulm ajror izraelit ka vrarë dy militantë në Bregun Perëndimor, pretendon Hamasi.
Sulmi ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin Tulkarm. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe tre të tjerë.
Ministria palestineze e shëndetësisë konfirmoi se dy persona ishin vrarë, por pa i identifikuar ata.
Në Jenin, më në veri, një operacion i madh që përfshin qindra trupa izraelite, automjete të blinduara, drone dhe helikopterë duket se do të vazhdonte për javën e dytë.
Të paktën 16 palestinezë janë vrarë në Jenin dhe zonat përreth që nga fillimi i armëpushimit, duke përfshirë 4 që dyshohet se ishin luftëtarë.
Të shtunën në mbrëmje, forcat izraelite qëlluan gjithashtu një vajzë 2-vjeçare gjatë një bastisjeje në fshatin Ash-Shuhada, në jug të Jeninit, thanë zyrtarët palestinezë.
IDF tha se trupat në një operacion kundër terrorizmit kishin qëlluar në një strukturë ku militantët e dyshuar ishin fshehur.