Gossip Showbiz

Lirohet më herët nga burgu? Sean ‘Diddy’ Combs përfiton ulje dënimi?

Reperi i njohur amerikan Sean ‘Diddy’ Combs pritet të lirohet nga burgu rreth një muaj e gjysmë më herët nga sa ishte parashikuar fillimisht, ndërsa vijon përpjekjet për të kundërshtuar dënimin katërvjeçar.

Sipas të dhënave zyrtare, data e re e lirimit është zhvendosur nga 4 qershori 2028 në 25 prill 2028. Ky ndryshim vjen pas përfshirjes së tij në një program rehabilitimi për persona me probleme me drogën, çka ka ndikuar në rillogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit.

Zyra e përfaqësuesit të tij bëri të ditur se Combs ka marrë pjesë me seriozitet në program dhe është i përkushtuar ndaj zhvillimit personal.

Ai po punon për të përmirësuar veten dhe për të ndjekur një rrugë të re

-u shpreh përfaqësuesi.

Aktualisht, ai po vuan dënimin në Federal Prison Fort Dix, në New Jersey. Kjo nuk është hera e parë që data e lirimit të tij ndryshohet.

Më herët, ajo ishte shtyrë për shkak të shkeljeve të rregullave të institucionit, përfshirë pretendime për konsumim alkooli dhe kryerje të thirrjeve të ndaluara. Përfaqësuesit e tij i kanë mohuar këto akuza, duke theksuar se një nga telefonatat ishte e mbrojtur nga sekreti avokat-klient.

Reperi ka depozituar apel kundër vendimit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm, uljen ose anulimin e dënimit. Ai argumenton se provat kundër tij nuk janë të mjaftueshme dhe se vendimi cenon të drejtat e tij kushtetuese.

Combs u arrestua në shtator 2024 për akuza që përfshinin trafikim njerëzish për shfrytëzim seksual, mashtrim dhe transport për prostitucion. Procesi i tij ligjor vijon të mbetet në vëmendjen e mediave ndërkombëtare.