Lisa Kudrow ka ndarë detaje të reja nga eksperienca e saj gjatë xhirimeve të serialit legjendar Friends, duke treguar se pas suksesit në ekran fshihej një atmosferë shpesh e vështirë dhe stresuese.
Aktorja u shpreh se xhirimet zhvilloheshin përpara një publiku live me rreth 400 persona, gjë që shtonte ndjeshëm presionin mbi kastin.
Sipas saj, në momentet kur ndonjë aktor gabonte tekstin ose nuk e interpretonte siç duhej skenën, skenaristët reagonin me komente fyese dhe nënçmuese.
Lisa Kudrow tregoi gjithashtu se në dhomën e skenaristëve, e dominuar kryesisht nga burra, krijohej shpesh një ambient i pakëndshëm.
Ajo pretendon se aty zhvilloheshin biseda të papërshtatshme, madje edhe fantazi seksuale për aktoret e serialit, veçanërisht për Jennifer Aniston dhe Courteney Cox.
Megjithatë, Kudrow shtoi se përpiqej të mos ndikohej emocionalisht nga kjo sjellje. Sipas saj, skenaristët punonin nën lodhje dhe presion të madh për të përfunduar episodet, ndaj shpesh e shfaqnin frustrimin në mënyra të gabuara.
Rrëfimi i saj ka rikthyer vëmendjen te prapaskenat e produksioneve të mëdha televizive dhe mënyra se si suksesi në ekran jo gjithmonë pasqyron realitetin pas kamerave.