Në një letër mbi politikat e emigracionit dhe që iu dërgua udhëheqësve të vendeve të BE-së përpara samitit të muajit të kaluar, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kishte premtuar se synonte që së shpejti të paraqiste “një listë të parë të BE-së, me vendet e sigurta të origjinës“. Kjo ndodhi e zyrtarja e lartë e mbajti premtimin e bërë.
Një ditë më parë, Komisioni Europian propozoi një listë të parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës e që janë Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku, si dhe Tunizia. Atyre iu shtohen edhe vendet kandidate për në Bashkimin Europian, sepse Brukseli zyrtar vlerëson se “në parim, ato përmbushin kriteret për t’u përcaktuar si vend i sigurt i origjinës”.
Kërkesat për azil nga shtetasit e këtyre vendeve mund t’i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar, e cila mund të kryhet në kufi ose në zonat tranzite dhe parashikohet nga Pakti i ri për Migracionin, i miratuar një vit më parë. Disa shtete anëtare kanë tashmë lista kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës.
Lista e BE-së do t’i plotësojë ato dhe do të lehtësojë aplikimin më uniform. Pakti për Migracionin dhe Azilin do të hyjë në fuqi në muajin qershor të vitit të ardhshëm, por Komisioni ka propozuar gjithashtu të sjellë përpara zbatimin e dy rregullave:
Shtetet anëtare mund të zbatojnë procedurën e kufirit ose një procedurë të përshpejtuar për njerëzit që vijnë nga vendet ku mesatarisht 20% ose më pak e aplikantëve iu jepet mbrojtje ndërkombëtare në Bashkimin Europian;
Vendet e treta të sigurta dhe vendet e sigurta të origjinës mund të caktohen me përjashtime, duke u dhënë shteteve anëtare fleksibilitet më të madh duke përjashtuar rajone specifike ose kategori individësh të identifikueshme qartë.