Liverpuli e ka blinduar talentin më të madh të skuadrës, Rio Ngumoha. 17-vjeçari ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me “The Reds”, e cila është e vlefshme deri në vitin 2028.
Lojtari i lindur në vitin 2008, i cili mbushi 17 vjeç më 29 gusht, iu bashkua akademisë së Liverpulit në shtator 2024 nga akademia e Çelsit. Ngumoha shihet një prej talenteve më të mirë aktualisht. Rio ka pesë ndeshje për ekipin e parë të Liverpulit, duke debutuar më 11 janar kundër Akrington në Kupën FA.
Sulmuesi anglez madje shënoi edhe gol në ndeshjen e tij të parë të Premier Ligë, ndaj Njukasëll, ku goli i tij i solli tre pikë Liverpulit. Ai u inkuadrua në minutën e 90+6 derisa shënoi gol në 90+10. Rio Ngumoha po ashtu luajti edhe javën e kaluar në ndeshjen ndaj Atletiko Madridit në Ligën e Kampioneve.
DËNOHET EKITIKE
Ndërkaq, pasi mori karton të kuq se hoqi fanellën, Hugo Ekitike u skualifikua për dy ndeshje që do t’i vuajë në “Carabao Cup”. Francezi do të përballet me masa disiplinore edhe nga Liverpuli pas kartonit të kuq të marrë në kohën e gabuar në ndeshjen e raundit të tretë të “Carabao Cup” kundër Sauthempton.
Francezi i sulmit ka bërë një nisje të shkëlqyer në karrierën e tij me kampionët, duke shënuar katër gola. Megjithatë, kartoni i tij i kuq për heqjen e fanelës raportohet se i ka sjellë një gjobë nga klubi, ndoshta ekuivalente me dy javë pagë, sipas “Daily Mail”. Paraqitjet e hershme të Ekitike treguan potencialin e tij, por incidenti ka shërbyer si një kujtesë për disiplinën dhe profesionalizmin që pritet prej tij në Liverpul.