Aktualitet Rajoni Travel

Lufta në Iran po ndryshon hartën e turizmit, Shqipëria në pozitën më të mirë për të përfituar!

Vetëm në 48 orët e para pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt, mbi 5.000 fluturime u anuluan në rajon, sipas të dhënave të platformës FlightAware. Kjo ishte një nga ndërprerjet më të mëdha të trafikut ajror botëror që nga pandemia e COVID-19.

Pas fillimit të konfliktit, kompanitë e mëdha ajrore pezulluan fluturimet drejt Lindjes së Mesme, ndërsa shtete si Irani, Izraeli, Iraku dhe Katari mbyllën tërësisht hapësirën ajrore.

Në javët që pasuan, një pjesë e madhe e hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme mbeti e mbyllur ose nën kufizime të rrepta.

Rrethanat e reja po ndryshojnë turizmin global, por edhe atë evropian.

Në rajonin e Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria dhe Kroacia janë në pozicionin më të mirë për të përfituar nga këto ndryshime, Mali i Zi mbetet i paqëndrueshëm, ndërsa Greqia është më e ekspozuara ndaj rënies së besimit dhe rritjes së kostove.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, Wadim Strielkowski, drejtor dhe profesor në Shkollën e Biznesit në Pragë të Republikës Çeke. Megjithatë, shpjegoi se këto përfitime nuk do të vijnë vetë, por kërkojnë një përgjigje të duhur të qeverive të këtyre shteteve, për të zbutur njëkohësisht rreziqet për turizmin lokal e për të tërhequr turistë të rinj.

Lufta në Lindjen e Mesme dhe turizmi botëror

Organizata Botërore e Turizmit raporton se gjatë 2024-ës, Lindja e Mesme ishte rajoni më i suksesshëm sa i përket turizmit krahasuar me periudhën para pandemisë, me rreth 95 milion të turistëve ndërkombëtarë.

Ky rajon përbën rreth 5% të turizmit botëror dhe 14% të trafikut ndërkombëtar tranzit ajror, sipas të dhënave të Këshillit Botëror për Udhëtime dhe Turizëm (WTTC).

Të dhënat e EUROCONTROL-it tregojnë se frekuenca e fluturimeve në Evropë mbeti e qëndrueshme pas fillimit të luftës, me përjashtim të trafikut midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ku u regjistrua një rënie prej 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, më shumë se gjysma e turistëve në Lindjen e Mesme janë nga Evropa.

Profesor Wadim Strielkowski nga Shkolla e Biznesit në Pragë tha se lufta në Lindjen e Mesme nuk çon në kolaps të plotë të udhëtimeve evropiane, por në një rishpërndarje të kërkesës turistike.

Turistët largohen nga destinacionet që perceptohen si më afër zonave të konfliktit dhe kthehen te alternativa që duken më të sigurta dhe më të lehta për t’u operuar.

Rajoni i Adriatikut dhe Jonit si alternativë?

Shtetet e rajonit të Adriatikut dhe Jonit: Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi, ofrojnë turizëm bregdetar veror që mund të shndërrohet në një alternativë për destinacionet më të ekspozuara të Mesdheut Lindor, tha profesori Strielkowski për REL-in.

Greqia ka një pozicion më kompleks: mbetet një destinacion turistik i fuqishëm, por shpesh perceptohet mendërisht si pjesë e Mesdheut Lindor, duke bërë që njëkohësisht të tërheqë e të humbasë pjesë të turistëve.

Por, këto përfitime nuk do të vijnë automatikisht. Ato varen nga politika e çmimeve, qasja e transportit dhe përgjigja institucionale në këto vende.

Konflikti në Lindjen e Mesme rrit çmimet e karburantit dhe transportit, duke krijuar një goditje tjetër që prek si turistët ashtu edhe bizneset turistike. Kjo ndihet më shumë në Greqi e Mal të Zi, që varen shumë nga trafiku ajror, ndërsa Kroacia është më e qëndrueshme pasi një pjesë e madhe e turistëve atje vijnë me rrugë tokësore nga Evropa Qendrore.

Nga Ministria e Turizmit dhe Sportit e Kroacisë thanë për REL-in se “lufta në Lindjen e Mesme, për momentin nuk ndikon ndjeshëm në flukset turistike drejt këtij vendi, por është i dukshëm një ngadalësim i rezervimeve”.

Profesori Strielkowski konsideron se Shqipëria mund të jetë fituesja më e madh në rajon, falë imazhit të një destinacioni të përballueshëm dhe rritjes së shpejtë turistike, por sfida qëndron në përshtatjen e kësaj rritjeje me investimet në infrastrukturë e cilësinë e shërbimeve.

Megjithatë, më 1 prill, Ambasada e Uashingtonit në Tiranë iu bëri thirrje shtetasve amerikanë, të “ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, pasi “grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-të ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri”. Autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë paralajmërim, duke e cilësuar “hamendësime”.

Për përfitime, të nevojshme nxitjet nga qeveritë

Profesori Strielkowski paralajmëroi se qeveritë nuk duhet të shohin krizën në Lindjen e Mesme vetëm si një mundësi marketingu, por edhe të punojnë për diversifikimin e transportit e kontrollin e kostove.

Kroacia duhet të forcojë fluksin rrugor dhe hekurudhor nga Evropa Qendrore, Mali i Zi e Shqipëria aeroportet dhe lidhjet rajonale, ndërsa Greqia, të mbështetet më shumë te destinacionet kontinentale dhe ishujt që i ka më afër.

Në të katër vendet është e rëndësishme të shmangen taksat e reja gjatë sezonit turistik.

Këto ndryshime krijojnë hapësirë për zhvillimin e formave alternative të turizmit dhe zvogëlimin e presionit mbi bregdetet verore, veçanërisht në Kroaci dhe Mal të Zi.

Ministritë e Turizmit të Greqisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të REL-it mbi ndikimin e luftës iraniane në sistemet e tyre turistike./Radio Evropa e Lirë