Bota

Lufta në Ukrainë, Kina: Nuk iu kemi dhënë armë vdekjeprurëse palëve!

Pekini zyrtar po mohon se i ka dhënë armë vdekjeprurëse ndonjërës prej palëve të përfshira në luftën në Ukrainë. Reagimi vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pretendoi se ka “informacione” se Kina po e furnizon me armë Rusinë.

Pala kineze asnjëherë nuk ka ofruar armë vdekjeprurëse për ndonjë palë në konflikt e në mënyrën më të rreptë kontrollon mjetet me përdorim të dyfishtë, u shpreh sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian.

Zelensky nuk dha detaje për akuzat e tij ndaj Kinës, por ai vuri në dukje se Kievi është “i gatshëm” që të bisedojë në detaje në lidhje me këto pretendime të ngritura. Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se e dinë se të paktën 155 shtetas kinezë janë dislokuar për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe gjithashtu pretendoi se ushtria ukrainase ka kapur dy ushtarë kinezë në rajonin lindor të Donjeckut.

Pekini deklaroi sot se qëndrimi i tyre ndaj çështjes së Ukrainës është konsistent dhe i qartë.

Vazhdimisht, ne kemi bërë përpjekje për ndaljen e armiqësive dhe për bisedimet e paqes, theksoi Lin.

Kina e ka paraqitur veten si një palë neutrale në lidhje me luftën trevjeçare në Ukrainë, pavarësisht kritikave të qeverive perëndimore se lidhjet e saj të ngushta me Rusinë i kanë dhënë Moskës zyrtare një ndihmë mjaft të rëndësishme ekonomike, si dhe diplomatike, po ashtu.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kina po furnizon me armë Federatën Ruse, përfshirë barut e artileri dhe se përfaqësues kinezë janë të përfshirë në prodhimin e armëve në territorin rus. Sipas tij, informacioni vjen nga raportime të shërbimeve të Sigurisë e të Inteligjencës ukrainase.

Ne besojmë se përfaqësuesit kinezë janë të angazhuar në prodhimin e disa armëve në territorin e Rusisë, tha kryetari i shtetit në një konferencë shtypi të mbajtur në kryeqytetin ukrainas, Kiev.