Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se “disa qindra” qytetarë kinezë po luftojnë në krah të Rusisë dhe kundër Ukrainës , disa ditë pasi ai akuzoi Moskën se ka tërhequr Pekinin në luftë.
“Aktualisht, ne e dimë se të paktën disa qindra qytetarë kinezë po luftojnë në radhët e forcave pushtuese ruse”, tha Zelensky përmes një videoje gjatë një takimi të udhëheqësve ushtarakë të vendeve aleate të Ukrainës në Bruksel.
Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqet në këtë mënyrë të “zgjatë luftën duke përdorur jetën e kinezëve”.
Në të njëjtën kohë, sot, Volodymyr Zelensky u kërkoi aleatëve të tij t’i siguronin atij dhjetë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhimit amerikan.
Kina i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Pekini është i vetëdijshëm se shtetasit e tij po rekrutohen për të luftuar për Rusinë në luftën në Ukrainë.
Zelensky tha të mërkurën se autoritetet ukrainase kanë të dhënat për 155 shtetas kinezë që po luftojnë përkrah Rusisë, pas një videoje të publikuar nga ushtria ukrainase, e cila pretendon se ka kapur dy mercenarë kinezë në lindje të Ukrainës.