Bota

Lufta në Ukrainë, kryediplomati amerikan Rubio bisedon me homologë europianë!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë me homologët europianë në lidhje me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Siç njoftoi Departamenti i Shtetit, Rubio foli me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, si dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Sybiha vuri në dukje se Ukraina është mirënjohëse ndaj Rubios për përpjekjet e tij dhe kundrejt presidentit amerikan, Donald Trump, për “lidershipin drejt arritjes së paqes”.

Garancitë e sigurisë për Ukrainën janë thelbësore. Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, juridikisht detyruese dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, juridike dhe të tjera, shkroi ministri Sybiha në X.

Më tej shtoi:

Ne të gjithë ndajmë bindjen se ushtria ukrainase është niveli themelor i çdo garancie të tillë, prandaj forcimi maksimal i saj është prioriteti ynë kryesor.

Pas takimeve të veçanta me presidentin rus, Vladimir Putin dhe më vonë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me liderët europianë, presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryediplomatit Rubio që të udhëheqë bisedimet për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.